Bizneset raportojnë keqësim të gjendjes financiare dhe ulje të shfrytëzimit të kapaciteteve

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, vlerësimet e bizneseve për gjendjen financiare dhe normën e shfrytëzimit të kapaciteteve

Admin
Admin

Bizneset raportojnë keqësim të gjendjes financiare dhe ulje të shfrytëzimit të kapaciteteve
Text

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, vlerësimet e bizneseve për gjendjen financiare dhe normën e shfrytëzimit të kapaciteteve kanë pësuar rënie për shumicën e sektorëve të ekonomisë, ndërsa rritje ka shënuar vetëm sektori i ndërtimit.

Shfrytëzimi i kapaciteteve pësoi rënie në sektorin e industrisë, me 0.6 pikë përqindje, në sektorin e shërbimeve, me 0.8 pikë përqindje dhe në sektorin e tregtisë, me 0.9 pikë përqindje. Ndërkohë, në ndërtim u regjistrua një rritje e shfrytëzimit të kapaciteteve me 1.2 pikë përqindje.

Nj ecuri të ngjashme shfaqi edhe treguesi i gjendjes financiare, që u rrit në sektorin e ndërtimit, me 2.8 pikë përqindje, por regjistroi rënie në sektorin e shërbimeve, me 2.2 pikë përqindje, në sektorin e industrisë, me 5.9 pikë përqindje dhe më shumë në sektorin e tregtisë, me 13 pikë përqindje.

Rënia e vlerësimeve të biznesit për shkallën e shfrytëzimit të kapacitetit prodhues ishte në linjë edhe me ecurinë e treguesi të ndjesisë ekonomike. Për muajin shtator indeksi i besimit u rrit vetëm nga ndërtimi dhe pjesërisht nga ndjesia konsumatorë, ndërkohë që pësoi rënie në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.

Shfrytëzimi më i ulët i kapaciteteve prodhuese, në vija të përgjithshme, përputhet edhe me një ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike gjatë këtij viti. Të dhënat e INSTAT treguan se për 3-mujorin e dytë të vitit ekonomia shqiptare u rrit me 3.61%, normë kjo më e ulët se rritja e rishikuar prej 3.71% e tremujorit të parë.

Deri tani, rritja ekonomike është në nivele të përafërta me gjysmën e parë të vitit të kaluar, ndërsa struktura e rritjes vazhdon të jetë e ngjashme.

Ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë ecurinë e dobët të sektorëve të saj prodhues, ndërsa rritja po mbështetet kryesisht te sektorët e lidhur kryesisht me konsumin dhe ofrimin e shërbimeve.

Bujqësia po vijon edhe këtë vit tendencën disavjeçare rënëse. Industria shënoi një rritje shumë të vogël në tremujorin e dytë, por kontributi i saj në rritjen ekonomike për gjysmën e parë të vitit ngeli negativ.

Kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike në gjysmën e parë të këtij viti ka qenë sektori publik, ndërsa tregtia, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë vijuar rritjen, të mbështetura në një masë të madhe edhe nga turizmi dhe kërkesa e jashtme.

Ndërkohë që rritja ekonomike po reziston në nivele relativisht të larta, struktura e saj vazhdon të shtrojë shqetësime, sidomos për shkak dobësimit të vazhdueshëm të degëve të prodhimit dhe një varësie në rritje nga turizmi dhe pasuritë e paluajtshme./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

2 min read

Comments

Loading comments…

Newsletter

First Edition

Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.

No spam. Unsubscribe in one click, whenever you like.