AMF: Shqipëria, drejt kuadrit të parë ligjor për obligacionet e mbuluara

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ka hartuar projektligjin “Për emetimin e obligacioneve

Admin
Admin

AMF: Shqipëria, drejt kuadrit të parë ligjor për obligacionet e mbuluara
Text

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ka hartuar projektligjin “Për emetimin e obligacioneve të mbuluara dhe mbikëqyrjen e tyre”, i cili hap rrugën për prezantimin në tregun shqiptar të një instrumenti të ri financiar dhe krijimin e një kuadri të posaçëm ligjor për emetimin dhe mbikëqyrjen e tij.

Nisma krijon mundësi të reja për financim afatgjatë, forcon mbrojtjen e investitorëve dhe mbështet zhvillimin e mëtejshëm të tregut vendas të kapitalit, në përafrim me kuadrin e Bashkimit Europian.

Deri më sot, legjislacioni shqiptar ka rregulluar emetimin e titujve të borxhit në përgjithësi, por jo mekanizmat specifikë që karakterizojnë obligacionet e mbuluara.

Projektligji synon të plotësojë këtë hapësirë, duke përcaktuar rregulla të qarta për emetimin, cilësinë dhe administrimin e aktiveve mbuluese, si dhe kërkesa të posaçme për transparencën dhe informimin e investitorëve, me qëllim forcimin e mbrojtjes së tyre.

Projektligji synon gjithashtu forcimin e mbikëqyrjes përmes një qasjeje të koordinuar ndërmjet Autoritetit dhe Bankës së Shqipërisë, në përputhje me kompetencat e secilit autoritet.

Banka e Shqipërisë ruan kompetencat e saj për mbikëqyrjen prudenciale të institucioneve të kreditit dhe jep opinion paraprak për aspektet prudenciale të programit, ndërsa Autoriteti miraton programin dhe ushtron mbikëqyrjen publike të tij.

Ky bashkërendim mundëson një vlerësim të integruar si të qëndrueshmërisë prudenciale të institucionit emetues, ashtu edhe të integritetit të instrumentit, transparencës dhe mbrojtjes së investitorëve.

Me qëllim sigurimin e një zbatimi të rregullt dhe efektiv të kuadrit të ri ligjor, projektligji parashikon hyrjen në fuqi më datë 1 janar 2029.

Kjo periudhë tranzitore synon t’u krijojë kohë të mjaftueshme subjekteve të interesuara, në veçanti institucioneve të kreditit, për t’u përgatitur dhe për të përshtatur strukturat, procedurat e brendshme, sistemet dhe kapacitetet e tyre me kërkesat e reja ligjore.

Njëkohësisht, kjo periudhë do të mundësojë përgatitjen dhe miratimin e kuadrit të nevojshëm rregullator në zbatim të ligjit, si dhe ngritjen e kapaciteteve dhe mekanizmave të nevojshëm për një mbikëqyrje efektive të veprimtarisë së emetimit dhe administrimit të obligacioneve të mbuluara.

Mbrojtje e dyfishtë për investitorët

Obligacionet e mbuluara janë tituj borxhi të emetuar nga institucione krediti dhe të mbështetur nga një grup i posaçëm aktivesh të pranueshme me cilësi të lartë, i njohur si “grupi i mbulimit”.

Karakteristika kryesore strukturore e këtij instrumenti është mbrojtja e dyfishtë e investitorit: krahas pretendimit të drejtpërdrejtë ndaj institucionit të kreditit emetues, investitori gëzon edhe një të drejtë me përparësi mbi aktivet e grupit të mbulimit.

Projektligji parashikon që këto aktive të jenë të identifikueshme, të regjistruara dhe të veçuara juridikisht nga aktivet e tjera të emetuesit. Në rast paaftësie paguese, ndërhyrjes së jashtëzakonshme ose likuidimit të institucionit emetues, obligacionet nuk bëhen automatikisht të pagueshme përpara afatit të maturimit dhe parashikohen mekanizma të posaçëm administrimi për mbrojtjen e të drejtave të investitorëve dhe vijimin e përmbushjes së detyrimeve sipas kushteve të programit.

Mbrojtja e investitorëve përforcohet më tej përmes kërkesave për mbikolateralizim, rezervë likuiditeti, administrim të rreziqeve dhe monitorim të pavarur të grupit të mbulimit.

Publikimi periodik i informacionit mbi përbërjen dhe cilësinë e aktiveve, nivelin e mbulimit të detyrimeve dhe rreziqet e programit synon t’u mundësojë investitorëve vendimmarrje më të informuar.

Më shumë mundësi financimi dhe investimi afatgjatë

Për institucionet e kreditit, obligacionet e mbuluara përfaqësojnë një burim të ri dhe potencialisht më të qëndrueshëm financimi afatgjatë. Ato mund të ndihmojnë në diversifikimin e burimeve financiare, uljen e varësisë nga financimi afatshkurtër, potencialisht edhe në uljen e kostove të financimit dhe përputhjen më të mirë të detyrimeve afatgjata me portofolin e kredive dhe aktivet afatgjata.

Për tregun e kapitalit, nisma krijon bazën ligjore për një kategori të re, të standardizuar titujsh borxhi. Kjo zgjeron alternativat e investimit për fondet e investimit, fondet e pensionit dhe investitorë të tjerë institucionalë, në përputhje me limitet ligjore përkatëse të investimit.

Nisma përmbush njëkohësisht angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare” të procesit të integrimit europian dhe objektivat e politikës kombëtare për zhvillimin e tregjeve të kapitalit për periudhën 2023–2027. Miratimi dhe zbatimi i projektligjit do të krijonin bazën për zhvillimin e një segmenti të ri të tregut financiar shqiptar, duke zgjeruar mundësitë e financimit të ekonomisë dhe duke vendosur standarde të posaçme për mbrojtjen e investitorëve.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

3 min read

Comments

Loading comments…

Newsletter

First Edition

Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.

No spam. Unsubscribe in one click, whenever you like.