Putini po përsërit gabimin e madh të Hitlerit me Kievin

Nga Peter Caddick - Adams – The Telegraph/

Javën e kaluar, Kievi historik u godit sërish. Këtë herë, sulmi goditi katet e sipërme të një godine të shekullit XIX, ku ndodhet Akademia Kombëtare e Shkencave e Ukrainës, një nga qendrat kryesore kërkimore të vendit, me lidhje edhe me sektorin e mbrojtjes. Pak para orës 13:30 me kohën lokale, një dron me motor reaktiv u përplas me ndërtesën, duke bërë që xhamat të binin mbi njerëzit poshtë dhe duke i detyruar punonjësit të hidheshin nga dritaret.

Dëshmitarët e tronditur, me duart në gojë, panë njerëzit brenda godinës të shfaqeshin si silueta përballë flakëve, ndërsa tundnin dëshpërimisht duart për të kërkuar ndihmë. Këtë herë, zjarrfikësit e Kievit, të stërvitur mirë, dhe shkallët e tyre mbërritën në kohë për të nxjerrë të mbijetuarit drejt sigurisë, duke lënë pas gjurmë gjaku dhe këpucë të braktisura.

Më herët gjatë këtij viti, edhe Lavra e Kiev-Peçerskut, një qendër fetare e shekullit XI, u godit nga një sulm rus me dronë dhe raketa. Ky kompleks i gjerë manastiresh dhe kishash, i ndërtuar nga shekulli XI deri në shekullin XIX dhe prej shekujsh vend pelegrinazhi, mori flakë në çati gjatë sulmit.

Jo vetëm priftërinjtë dhe murgeshat ndodheshin në vijën e zjarrit, por edhe turistët dhe besimtarët. Epifani, kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës, e dënoi sulmin si “një krim kundër njerëzimit, kundër historisë, kundër krishterimit” dhe bëri thirrje për lutje për shpëtimin e këtij vendi. Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez Jean-Nol Barrot tha se sulmi ndaj manastirit të Kievit ishte “për ne francezët, njësoj si bombardimi i Notre-Dame”.

86 vjet më parë, një burrë i quajtur George u përball me sprovën e tij gjatë një sulmi ajror, në Londër, jo në Ukrainë. Ndërsa qëndronte mbi çati dhe bombat binin përreth, ai ecte me kujdes mes vorbullave verbuese të tymit, mbi tjegulla të thyera dhe rrënoja tullash. Në shpatull mbante një bobinë të madhe zorre zjarrfikëse, thelbësore për shuarjen e zjarrit poshtë tij. Por George ishte një burrë i imët 44-vjeçar dhe vuante nga astma.

Teksa ndiente xhamat që kërcisnin nën këmbë, ai vazhdoi me këmbëngulje, edhe pse e dinte se në të dyja anët e tij kishte një humnerë të thellë. Më vonë tha se nuk e dinte nga e kishte gjetur forcën për të ngritur atë ngarkesë dhe guximin për ta transportuar nëpër çatinë e ndërtesës së lartë. Më në fund, ai arriti te kolegët e tij, lidhi zorrën me furnizimin me ujë dhe, së bashku, penguan përhapjen e flakëve.

George ishte George Roxburgh dhe ndërtesa që po digjej ishte selia e gazetës The Daily Telegraph në Fleet Street. Data ishte 29 dhjetor 1940. Edhe pse mori një letër falënderimi nga drejtuesit dhe menaxhmenti i lartë për shpëtimin e ndërtesës, guximi i George-it nuk u dokumentua më tej. Kishte thjesht shumë sulme në qytetet britanike, nga Londra e Liverpuli, Plimuthi e Portsmuthi, Suonsi e Sauthemptoni, deri te Koventri, Glasgou, Birmingami, Belfasti dhe Hulli.

Mbi 40 000 njerëz humbën jetën si civilë gjatë fushatës tetëmujore të Blitzit dhe shkatërrimi ishte aq i madh, sa nuk ishte e mundur të nderoheshin të gjithë shpëtimtarët, ekipet mjekësore të urgjencës, skuadrat e çaktivizimit të bombave dhe zjarrfikësit. Në fund, më shumë se një milion shtëpi u shkatërruan ose u dëmtuan, gjysma e tyre në Londër.

Është e jashtëzakonshme se si Vladimir Putini po përsërit gabimin e Hitlerit, duke menduar se mund ta mposhtë një komb trim përmes sulmeve të përsëritura nga ajri. Objektivat janë të njëjtë, kishat, bibliotekat, dyqanet, portet, restorantet, zyrat dhe monumentet, por mbi të gjitha, morali i njerëzve. Në rastin e Londrës, 57 net radhazi bombardimesh ajrore, duke nisur me 7 shtator 1940, nuk arritën ta nënshtrojnë popullsinë.

Nga viti 1942, me marshallin e aviacionit Sër Arthur Harris në krye, bombardimi i qyteteve gjermane u bë politika e Komandës së Bombarduesve të RAF-it. Duke cituar profetin Hosea në Dhiatën e Vjetër, Harris deklaroi: “Ata mbollën erën dhe tani do të korrin furtunën.”

Politika e tij, e quajtur brutalisht “çstrehim”, e kishte origjinën në një memorandum të hartuar nga Frederick Lindemann, këshilltari kryesor shkencor i Churchill-it. Duke analizuar sulmet e Luftwaffe-s ndaj Birmingamit dhe Hullit, ai vlerësoi se për çdo ton bombash të hedhura, shkatërroheshin 20-40 shtëpi, duke lënë 100-200 njerëz pa strehë. Sipas Lindemannit, dëmtimi i shërbimeve publike, fabrikave, rrugëve dhe hekurudhave do ta përforconte këtë efekt dhe do të thyente shpirtin e Rajhut të Hitlerit.

Fushata ajrore e aleatëve kundër Gjermanisë vazhdoi me kosto të mëdha në avionë dhe personel, ndërsa saktësia u përmirësua falë radarëve në bord dhe avionëve më të avancuar, përfshirë bombarduesin me katër motorë Lancaster, të cilit më vonë iu bashkuan bombarduesit amerikanë Fortress dhe Liberator. Rajhu u kundërpërgjigj në vitet 1944 dhe 1945 me një raketë lundruese me motor reaktiv, V-1, dhe një raketë balistike ndërkontinentale, V-2. Por asnjëra nuk rezultoi të ishte “arma mrekulli” e aftë për ta ndryshuar rrjedhën e luftës, siç kishte premtuar Hitleri.

Pikërisht në të njëjtën mënyrë, sulmet e para ruse me bomba ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera në vitin 2022, të cilat ishin më primitive, janë shndërruar në sulme me municione të reja. Autorët tipikë të këtij Blitzi të ri, që çoi edhe në sulmin ndaj Akademisë Kombëtare të Shkencave, janë gjeneratat më të fundit të dronëve sulmues me motor reaktiv Geran-4 dhe Geran-5. Ata mund të arrijnë shpejtësinë 600 km/h dhe fluturojnë tri herë më shpejt se paraardhësit e tyre me helikë.

Por, ashtu si morali i britanikëve nuk u thye gjatë bombardimeve të qyteteve të ndryshme dhe civilët gjermanë nuk u kthyen kundër udhëheqësve të tyre nazistë mes bombardimeve aleate, nuk ka asnjë shenjë se ukrainasit po dorëzohen. Në Kiev e Lviv, Odesa e Harkiv, njerëzit e zakonshëm vazhdojnë të qëndrojnë heroikisht të vendosur.

Edhe pse paralajmërimet për sulmet ajrore tani jepen përmes njoftimeve në celular, sirenat vazhdojnë të bien. Shpërthimet e dronëve dhe raketave që mbërrijnë, të përziera me zhurmën e raketave të mbrojtjes ajrore që lëshohen nga ukrainasit, e kanë kthyer zhurmën e luftës në një kolonë zanore pothuajse të pandërprerë të jetës së përditshme në gjithë Ukrainën. Synimi rus në këto sulme ajrore, të cilat mund të ndodhin deri në 10 herë në ditë, 76 alarme u regjistruan në Kiev gjatë shtatë ditëve nga 27 gushti deri më 2 shtator, është po aq krijimi i kaosit dhe privimi nga gjumi, sa edhe shkaktimi i dëmeve.

Një sondazh i kryer në fillim të konfliktit në vitin 2022 arriti në përfundimin se, ndonëse vetëm 2 për qind e ukrainasve, kryesisht banorë të lindjes së vendit dhe pensionistë, kishin një moral jashtëzakonisht të ulët, vetëm 40 për qind po flinin rregullisht. Megjithatë, për të ruajtur shpirtin e tyre luftarak, 83 për qind vazhdonin të ushqeheshin si zakonisht dhe 82 për qind vazhdonin të bënin plane për të ardhmen.

Në kundërshtim me Putinin, ashtu si brezat e mëparshëm që i rezistuan bombave të Hitlerit, ukrainasit po mbahen pas parimit “Qëndro i qetë dhe vazhdo përpara”. Pikërisht ky shpirt këmbëngulës po e ndihmon Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës të përballojnë ditë pas dite këtë kalvar të dhimbshëm.

Comments

Loading comments…

Newsletter

First Edition

Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.

No spam. Unsubscribe in one click, whenever you like.