Inteligjenca artificiale “nxjerr” Veliajn nga burgu: çfarë parashikon SPAK?

Erion Veliaj po përdor Inteligjencën Artificiale për të dalë politikisht nga izolimi, duke ngritur një pikëpyetje të re për SPAK dhe gjykatën: nëse u mbajt në qeli për shkak të fuqisë për të ndikuar procesin, çfarë ndodh kur të njëjtën fuqi përpiqet ta ushtrojë përmes surrogatos së tij dixhitale?

Admin
Admin

Text

Në vitin e 13-të të qeverisjes, socialistët arrijnë një tjetër pikë degradimi të pushtetit, kur kryebashkiaku në detyrë Erion Veliaj, i cili ka më shumë se një vit në paraburgim, ka mbushur ekranet e televizioneve me një surrogato të prodhuar nga inteligjenca artificiale. Lëvizja nuk është origjinale.

Para tij, ishte Edi Rama që pati idenë të përfshinte në kabinet një ministre virtuale, Diellën, me qëllim për të kapur disa tituj në mediat ndërkombëtare. Por lëvizja e Veliajt duket se ka marrë si shembull ngjarje të tjera jashtë vendit, kur ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro, që ishte arrestuar përdori një mënyrë të ngjashme, apo ish-kryeministri i Pakistanit i arrestuar përgatiti një fjalim me inteligjencë artificiale.

Kështu edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka krijuar “surrogaton” e tij virtuale, me zërin dhe figurën e ngjashme, për të treguar se është ende aktiv në politikë dhe se vazhdon t’u qëndrojë në kokë punëve të bashkisë.

Si për ta theksuar këtë lëvizje, pak orë para se të publikonte mesazhin me inteligjencë artificiale, Veliaj riktheu në detyrë dy ish-nënkryetarët Sadi Vorpsi dhe Sara Goxhaj, kjo e fundit një emër që u refuzua nga Rama një vit më parë.

Në mesazhin e surrogatos, Veliaj dëgjohet të flasë për bilancin e punës së tij në kryeqytet dhe të bëjë edhe premtime për të ardhmen. “Prej 20 muajsh vijon pengmarrja ime dhe nuk mund ta bëj këtë përshëndetje veçse me inteligjencë artificiale”, thotë ai.

Pasi renditi si bilanc mbi 50 shkolla dhe 115 kopshte e çerdhe të reja, ai u ndal te premtimi për ushqimin falas në shkollat e Tiranës. “Kam marrë edhe një zotim tjetër, që nuk e harroj: ushqimin në shkolla”, tha avatari i Veliajt.

“Vërtet më kanë kyçur duke më zënë në pritë”, thotë Veliaj, përpara se të premtojë: “do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur”.

Por mesazhi publik i Veliajt krijon një zonë gri në raport me arsyet që paraqitën në gjykatë prokurorët e çështjes kur kërkuan izolimin e tij në paraburgim. A mund të ndikojë në gjyq Veliaj nëse flet publikisht përmes një kopjeje dixhitale që ka fytyrën, zërin dhe mesazhin e tij?

Arsyetimi juridik i gjykatave ka qenë se Veliaj duhet të qëndrojë në paraburgim për shkak të rreziqeve procedurale që, sipas tyre, vazhdojnë të ekzistojnë. Në vendimin e marsit 2025, gjyqtari Engert Pëllumbi argumentonte se “ekziston edhe rreziku i ikjes dhe ai i kryerjes së veprave të tjera penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohet”.

Por gjykata ngrinte edhe një argument tjetër, që Erion Veliaj paraqet rrezik real për pengimin e hetimeve, se duke qenë kryebashkiak i bashkisë më të madhe të vendit, mundet që me pushtetin e tij të ndikojë tek dëshmitarët dhe të minojë hetimin dhe të dëmtojë provat. E gjitha kjo bazohej në komunikimin publik të Veliajt që ushtroi një presion direkt ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që u morën me dosjen e tij.

Në atë kohë, Veliaj shpërtheu në ofendime dhe sharje kundër prokurorit Ols Dado dhe gjykatësit Erjon Bani. Përdorimi i epiteteve si "budallenj", "violinë", "shejtan budalla", "llum", "palaço" "kasap" etj ishte një strategji me të cilën Erjon Veliaj synonte që të intimidonte gjykatësit e tjerë që kishin në dorë dosjen e tij. Vetëm se mllefi dhe sharjet, vetëm sa e përkeqësuan situatën. Gjykatësit e tjerë e lanë në fuqi të njëjtin vendim, jo vetëm në bazë të arsyetimit të gjykatësve të tjerë, por edhe duke llogaritur edhe shpërthimin e kërcënimeve dhe sharjet nga kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës.

Me pak fjalë, gjykata e ka mbajtur në qeli duke vlerësuar rrezikun që lidhet me fuqinë, mundësitë dhe sjelljen e tij, ndërsa Veliaj po përpiqet të dëshmojë publikisht se qelia nuk ia ka hequr as fuqinë dhe as mundësinë për të drejtuar bashkinë dhe për t'i folur publikisht qytetarëve.

Përplasja me prokurorin Ols Dado është bërë ndërkohë gjithnjë e më personale. Veliaj ka sulmuar publikisht Dadon dhe më pas e ka paditur në Gjykatën Administrative duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë së dekretit të vitit 2008 me të cilin Dado u emërua prokuror. Veliaj pretendon se Dado nuk plotësonte kriteret ligjore për emërimin.

Pak ditë pas arrestimit të Veliajt, në vitin 2025, kryebashkiaku organizoi edhe një protestë para SPAK me punonjësit e Bashkisë së Tiranës që rrethuan godinën duke bërë thirrje për lirimin e tij. Në mbrëmje, prokurorët dhe gjyqtarët u përballën me protestuesit që shtynin makinat dhe bërtisnin, ndërsa policët u përpoqën të mbanin turmën. SPAK e konsideroi protestën si “rrezikim i jetës” së magjistratëve.

Ndërkohë çështja ka kaluar prej kohësh në gjykim. SPAK e dërgoi dosjen në GJKKO në shtator 2025. Prokuroria pretendon se Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa kanë përfituar në nëntë episode përfitime të parregullta nga subjekte që, nga ana tjetër, kishin marrë fonde publike ose leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Ndaj Veliajt janë ngritur akuza që përfshijnë korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe shpërdorim detyre. Veliaj i ka mohuar akuzat dhe mbrojtja e tij pretendon se SPAK nuk ka provuar lidhjen mes ushtrimit të detyrës dhe përfitimeve të pretenduara.

Ligjërisht, publikimi i një avatari nuk përbën vetvetiu shkelje të masës “arrest në burg”. Për të arritur në një përfundim të tillë duhet të dihet nëse ndaj Veliajt ekziston një kufizim specifik komunikimi, si është prodhuar dhe autorizuar mesazhi dhe nëpërmjet cilit kanal ka dalë nga paraburgimi.

Por politikisht paradoksi qëndron. Drejtësia e futi Veliajn në qeli sepse konsideroi se jashtë saj, ai kishte ende fuqinë për të ndikuar procesin. Tani Veliaj po përpiqet të tregojë se mund të ushtrojë pushtet edhe pa dalë prej saj. Mbetet për t’u parë nëse SPAK dhe gjykata do ta konsiderojnë avatarin thjesht një lodër të inteligjencës artificiale, apo zgjatimin dixhital të të njëjtit kryebashkiak që vendosën ta izolonin./Lapsi.al

Explore more on these topics

Last modified Tue, 6 Oct 2026 20:38 BST

4 min read

Comments

Loading comments…

Newsletter

First Edition

Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.

No spam. Unsubscribe in one click, whenever you like.