
Ministri Demo tek Akademia e Sigurisë: Një standard i ri, nis nga brezi i ri. Rritje e konsiderueshme pagash për Policinë e Shtetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në fjalën drejtuar studentëve të rinj të Akademisë së Sigurisë, vuri theksin te përgjegjësia që mbart brezi i ri i Policisë së Shtetit dhe nevoja për një polici moderne, profesionale dhe me integritet. Demo theksoi se uniforma e shtetit është përgjegjësi dhe jo privilegj, ndërsa autoriteti i dhënë nga ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet. “Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet”, tha ai. Ministri nënvizoi se qytetari duhet të jetë në qendër të punës së Policisë së Shtetit dhe se ligji vlen njëlloj për të gjithë, pa dallim statusi, lidhjeje, bindjeje apo pozite, duke kërkuar zero kompromis me korrupsionin. Sipas Demo, sfidat e reja të sigurisë kërkojnë një polici të mbështetur te dija, teknologjia, përgatitja profesionale dhe parandalimi, pasi krimi po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar.
Një tjetër element i rëndësishëm i standardit të ri lidhet me trajtimin dhe vlerësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ministri Demo bëri të ditur se rritja e pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit është në rrugë të mbarë, duke paralajmëruar një rritje të konsiderueshme. “Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë përsa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj ditën që ju do të dilni në detyrë do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj”, evidentoi Demo.

Sipas ministrit, ky është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e një standardi të ri për trupën e Policisë, duke kombinuar përgjegjësinë profesionale me vlerësimin dhe mbështetjen që punonjësit meritojnë.
“Një standard i ri unë besoj që fillon nga brezi i ri, e unë jam i bindur që ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj çfarë ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur eksperiencën e ndërtuar prej vitesh e vitesh në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur të gjithë atë që është realizuar me shumë mund dhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, nënvizoi ministri.

Demo e lidhi këtë proces edhe me objektivin e integrimit evropian, duke theksuar se Shqipëria synon të përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave brenda vitit 2027, çka kërkon ngritjen e standardeve edhe në Policinë e Shtetit. Në përfundim, ministri vlerësoi rolin e Akademisë së Sigurisë dhe stafit akademik, duke kërkuar një “kërcim cilësie” për ta sjellë formimin e policëve në përputhje me sfidat e kohës.
“Kombinimi i faktorit të ardhmes që jeni ju me eksperiencën që ne kemi në Policinë e Shtetit do të jetë formula për të garantuar një Polici Shteti, e cila do të plotësojë të gjitha standardet që ne do të donim për të ardhmen e vendit. Sot do të doja t’ju uroja shumë suksese në këtë rrugëtim. Do të doja të përgëzoja edhe stafin akademik, sepse kjo është një ditë feste gjithmonë kur institucionet e arsimit të lartë kanë ditën e parë të universitetit. E mbaj mend shumë mirë sepse e kam përjetuar, pasi kam qenë 15 vjet pjesë e stafit akademik të Universitetit të Tiranës. Besoj që po ashtu kjo ditë, është një ditë e cila vlen për të projektuar atë çfarë ne duam të bëjmë, qoftë dhe me Akademinë e Policisë së Shtetit, për ta ngritur atë në nivele të tjera për ta transformuar jo thjesht nga pikëpamja e infrastrukturës, por mbi të gjitha për ta sjellë Akademinë e Policisë së Shtetit në atë çfarë koha kërkon dhe atë çfarë ne kemi punuar dhe e gjithë stafi akademik dhe gjithë drejtuesit të gjithë zinxhir drejtuesve të Policisë së Shtetit ka punuar deri tani”, u shpreh kreu i Ministrisë së Brendshme.

Most viewed in News
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5

Most viewed in News
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10


1 photos
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10

Newsletter
First Edition
Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.








Comments
Loading comments…