
Norma e kredive me probleme të rikuperuara pësoi rënie në gjysmën e parë të këtij viti
Norma e kredive me probleme të rikuperuara pësoi rënie në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Kjo nënkupton rënien e fluksit të kredive

Norma e kredive me probleme të rikuperuara pësoi rënie në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Kjo nënkupton rënien e fluksit të kredive që riklasifikohen si performuese dhe rrjedhimisht një dobësim të aftësisë së bankave për rikuperimin e tyre.
Ky tregues në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ra në 11%, nga 14% që kishte qenë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Norma e kredive të rikuperuara mat fluksin e ri të kredive me probleme që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, ndaj tepricës së kredive me probleme në fund të periudhës.
Po ashtu, norma e dështimit që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë u rrit në 0.6%, nga 0.5% një gjashtëmujor më parë, ndonëse mbeti nën nivelin 1% të një viti më parë. Rritja e saj në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë, sinjalizon një rritje të lehtë të rrezikut të aktivitetit kreditues, e lidhur me prurjet e reja në portofolin e kredive të humbura.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme në gjysmën e parë të këtij viti pësoi një rënie të mëtejshme në 3.7%, që përfaqëson një minimum të ri për 18 vitet e fundit. Raporti i kredive me probleme e pati mbyllur vitin e kaluar në nivelin 3.8%.
Megjithatë, në vlerë absolute, kreditë me probleme u rritën me 1 miliard lekë, në vlerën 37 miliardë lekë. Ulja e raportit erdhi nga rritja më e shpejtë e tepricës së kredisë. Kontributin kryesor në rritjen e kredive me probleme e dha klasa e kredive të klasifikuara si “nënstandard”. Bankat raportuan përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë veçanërisht për kreditë afatshkurtra, për kreditë në lekë dhe ato të akorduara për bizneset.
Në nivel grupesh, bankat josistemike kanë vlerën më të ulët të raportit të kredive me probleme krahasuar me bankat sistemike. Raporti i kredive me probleme për bankat josistemike në qershor 2026 rezultoi 3.5%, për bankat sistemike ishte 3.8%, për bankat me kapital të huaja ishte 3.2% dhe për bankat me kapital vendas ishte 4%.

Me përjashtim të kredisë për zhvillim biznesi, të gjitha portofolet e tjera të kredisë sipas qëllimit kanë paraqitur përmirësim të cilësisë. Raporti i kredive me probleme për kreditë për zhvillim biznesi u rrit në nivelin 6.7%, nga 6% në dhjetor 2025.
Portofoli me përmirësimin më të madh të cilësisë ishte ai i kredisë për investime në pasuri të paluajtshme, për të cilën raporti i kredive me probleme ra në 2.6% nga 3% në fund të vitit 2025.
Portofolat me nivelin më të lartë të kredive me probleme janë ato të kredisë afatmesme, kredisë për bizneset dhe kredisë në Lekë, ku vlerat e këtij raporti në gjysmën e parë të vitit ishin përkatësisht 5.5%, 4.6% dhe 4%. Megjithatë gjatë periudhës, me përjashtim të kredisë afatmesme, këto raporte kanë regjistruar rënie të lehtë./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal./Monitor.al

Most viewed in News
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5

Most viewed in News
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10

Newsletter
First Edition
Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.








Comments
Loading comments…