Shqipëria mbyll nesër kapitullin e katërt të negociatave me BE! Kos: Zgjerimi po ecën përpara, siguria kusht për anëtarësimin
Shqipëria shënon të martën një tjetër hap në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në Luksemburg do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale.
Drita jeshile është dhënë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare në COREPER. Shqipëria është në prag të mbylljes së kapitullit të katërt brenda tre muajve, pas atyre për Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos njoftoi se në ditët në vijim janë parashikuar katër konferenca ndërqeveritare, me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke e cilësuar këtë si një dëshmi se zgjerimi i Bashkimit Europian po ecën përpara.
“Pas vendimit të djeshëm të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin detyrimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë”, tha Kos.
Në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Europian, Marta Kos theksoi se siguria dhe përafrimi strategjik me politikat e BE-së do të jenë kushte thelbësore për anëtarësimin e vendeve kandidate. Sipas saj, Bashkimi Europian nuk mund të pranojë anëtarë të rinj që nuk kontribuojnë në forcimin e sigurisë së përbashkët.
“Ne nuk mund t'ia lejojmë vetes të pranojmë shtete të reja anëtare që nuk do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë sonë. Vetëm ato vende kandidate që janë të përafruara strategjikisht me ne do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, tha Kos.
Kos nënvizoi gjithashtu se respektimi i shtetit të së drejtës mbetet një kusht themelor në procesin e anëtarësimit. Po ashtu, Kos kritikoi ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë, duke i cilësuar të papranueshme dhe në kundërshtim me detyrimet e vendit ndaj Bashkimit Europian.
“Çështja e dytë lidhet me shtetin e së drejtës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të fortë për të drejtën ndërkombëtare. Diskutimet lidhur me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) tregojnë edhe një herë se sa thelbësore është të ruajmë respektin për shtetin e së drejtës dhe për vlerat tona, të cilat përbëjnë themelet e gjithçkaje që bëjmë, veçanërisht në procesin e zgjerimit. E drejta ndërkombëtare është gjithashtu thelbësore për paqen dhe sigurinë. Kjo ka një rëndësi të veçantë në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas asaj që kemi parë pas vdekjes së kriminelit të luftës, kur tendencat nacionaliste kanë filluar të rizgjohen. Ne e kemi parë në të kaluarën se çfarë mund të ndodhë kur këto tendenca mbizotërojnë”, tha Kos.
Sipas axhendës së publikuar nga Këshilli i Bashkimit Europian, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të mbahet nesër në Luksemburg. Mbërritja e delegacioneve është parashikuar në orën 17:30 me orën shqiptare, ndërsa në 17:50 do të realizohet fotografia zyrtare. Në orën 18:00 nis tryeza e diskutimeve, ndërsa konferenca është planifikuar për në orën 18:15.
Kapitulli 20, që pritet të mbyllet përkohësisht, përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve, digjitalizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria mbyll përkohësisht 4 nga 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos ka kritikuar ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke deklaruar se ato bien ndesh me detyrimet që Kosova ka ndaj Bashkimit Europian. Në një deklaratë për mediat, Kos theksoi se respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht themelor në procesin e integrimit europian.
“Çështja e dytë lidhet me shtetin e së drejtës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të fortë për të drejtën ndërkombëtare. Diskutimet lidhur me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) tregojnë edhe një herë se sa thelbësore është të ruajmë respektin për shtetin e së drejtës dhe për vlerat tona, të cilat përbëjnë themelet e gjithçkaje që bëjmë, veçanërisht në procesin e zgjerimit.E drejta ndërkombëtare është gjithashtu thelbësore për paqen dhe sigurinë. Kjo ka një rëndësi të veçantë në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas asaj që kemi parë pas vdekjes së kriminelit të luftës, kur tendencat nacionaliste kanë filluar të rizgjohen. Ne e kemi parë në të kaluarën se çfarë mund të ndodhë kur këto tendenca mbizotërojnë.Dua të jem gjithashtu shumë e qartë. Në Kosovë, ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara bie ndesh me detyrimet themelore që Kosova ka ndaj Bashkimit Evropian dhe kjo është e papranueshme. Ndryshimi i rregullave ndërkohë që një proces gjyqësor është ende në zhvillim bie ndesh me të gjitha standardet ndërkombëtare të njohura të shtetit të së drejtës”, tha Kos.




















Komente
Duke ngarkuar komentet…