Gazetari(a) në epokën e tri botëve!
Lutfi Dervishi
Ajo që ndodhi në minutat e fundit të 6 tetorit ishte një parodi. Një nga ato ngjarje që e qesharakëzojë aq thellë thelbin e një shteti dhe të institucioneve të tij, sa e bëjnë të pa shmangshme pyetjen: A mos do ishte më mirë po të qe bërë me keq?

Kosova po nxitonte me shpejtësi drejt njërës prej krizave më të rënda që ka kaluar ky shtet i ri, duke prodhuar të katërtat zgjedhje të parakohëshme në harkun e dy viteve; duke pasur paqartësi se kush do ta luante rolin e përkohshëm të presidentit; duke vijuar të drejtohet nga një kryeministër, që më gjatë po shërben si ushtrues detyre, sesa si shef real ekzekutivi, por megjithëatë, mënyra se si u shmang kjo situatë kaotike ishte më qesharakja e mundshme.
Mjafton të kthesh në kujtesë sekuencat e minutave të fundit të seancës që u transmetua live, me gjurulldinë e sallës së kuvendit, ku qe e vështirë të dalloje deputetët nga punonjësit e rekuizitës, që vendosnin tryeza dhe kuti votimi, Albin Kurtin që shikonte një e dy orën, të zgjedhurit e popullit që yshteshin drejt sallës si tufë bagëtish, apo ankthin e Albuenës për fituar sekonda, për të kuptuar se në atë që pezumohet të jetë momenti më solemn i një shteti, nuk kishte asnjë gjë serioze. Por, njësoj si kjo pamje nga jashtë e procesit qe edhe brendia e tij.
Deri në mesditë dukej sikur zgjedhjet e parakohëshme ishin të pashmangshme.
Përpos armiqësisë tradicionale, kryeministri Kurti dhe shefi i PDK-së, Bedri Hamza, ngjanin të kapluar nga një krizë besimi reciproke. Frika se mos tjetri ia hidhte duke keqpërdorur mirësinë e atij që jepte besim, asgjesonte çdo rrugë racionale. Ata s’kishin dakordësi, as për radhën se cili duhej votuar paraprakisht, ligji që mëtonte të kufizonte gjykatën e Hagës, apo zgjedhja e kreut të shtetit e aq më pak pastaj për emrin e këtij të fundit.
Kurti rinxori në lojë emrin e Bekim Sejsiut, nga marveshja e mëparshme me LDK, Hamza i’a skartoi duke pretenduar se ai nuk ishte pjesë e këtij pakti. I pari bëri tjetër ofertë, me zotim për të votuar ligjin për gjykatën speciale, nëse PDK-ja bënte të mundur zgjedhjen e Glauk Konufcës apo Feride Rushitit, rivali i tij e përqeshi duke thënë se nuk do të pranonte kurrë të çonte në presidencë yesman të të parit.

Kishin mbetur më pak se dy orë nga rënia e gongut që shpërndante parlamentin kur kryeministri propozoi emrin e akademikes Justina Shiroka Pula, që më sa duket kishte qenë më parë pjesë e bisedave konfidenciale mes tij dhe liderit të opozitës.
Situata u bë edhe më absurde pasi ai theksoi se nuk e kishte kontaktuar kandidaten, pasi ajo ishte një ish ministre e Hashim Thaçit, pra që i takonte palës tjetër të fliste me të. Aq pak kohë kishte mbetur dhe në aq tepër mosbesim ishte investuar, sa në të gjitha studiot e televizioneve, njëkohësisht, panelistët e komentuan këtë si një taktikë të Kurtit për ti lënë fajin e dështimit kundërshtarit.
Por këtu filloi kthesa, njëkohësisht dhe komedia! 50 minuta më pas, PDK e pranoi propozimin. Në orën që kishte mbetur duhej organizuar gjithçka. Kandidatja për presidente që ndodhej për darkë në Prizëren u tha mediave që ajo s’dinte asgjë. Në kohën në dispozicion, më shumë sesa dilema e pranimit të kësaj barre të rëndë, asaj do i jetë dashur të mendojë se si duhet të braktisë miqtë për tu kthyer në Prishtinë, për makiazhin dhe veshjen që duhet të zgjidhte në një rast si ky, e me siguri, nëse tepronte kohë, edhe ndonjë fjalë që duhet të shqiptonte pas betimit, ashtu siç e kërkonte zakoni.
Po aq absurde ishte situata edhe atyre deputetëve që deri pak momente më parë ishin përgatitur që do të votonin bër Bekim Sejsiun ose të tjerëve që e kishin ndarë mendjen për bojkot. Në kushtet e reja ata thjeshtë duhet të nxitonin si robotë.
Ishte qesharake se si gjoja komisionet miratuan për leximin e dytë ligjin për Gjykatën Speciale, ndërkohë që në sallë vendoseshin tavolinat e votimit të presidentes. Procedura për zgjedhjen e saj qe një gati banalitet. Kishte mbetur edhe gjysëm ore kohë kur duheshin shkruar e lexuar jetshkrimet e dy kandidatëve, kur duheshin siguruar nënshkrimet e së paku 30 propozuesve, për secilin prej tyre, kur duhej mbledhur Komisioni për Legjistlacion, i cili prezumohet të verifikojë firmat, kriteret e përmbushura nga mëtuesit e postit e më pas të hartojë një raport për këtë.
Edhe sikur vijimi i votimit pas orës 12 të natës të mos konsiderohet një shkelje e kushtetutës, zor se një gjykatë e denjë për këtë emër do ta validonte një proces surrogato si ky.

E megjithëatë Justina Shiroka Pula, arriti të kthehet nga darka me miq në kohën e duhur, ajo arriti ta zgjedhje dhe veshjen e përshtatshme, madje dhe të qëmtojë dy fjalë për fjalimin e rastit.
Në këtë kuptim, kjo komedi me happy end u duk sikur i kënaqi të gjithë. Ajo e shmangu krizën, një palë zgjedhje të kota dhe mbetjen vakante të postit të presidentit, Por ama, për cilindo që kërkon të shohë përtej brohoritjeve dhe duarshtrëngimit Kurti-Hamza, ngrihen disa pyetje të tjera: Si ka mundësi që depuetët e Vetëvendosjes e votauan ligjin për Gjykatën Speciale, ndërkohë që kishin deklaruar me gojën e tyre se ishte antikushtetuese ta bënin këtë pa kaluar 72 orë nga votimi i parë? Si pranuan homologët e tyre të PDK-së, ata që ulërasin përditë për rrezikun autokratik të Albin Kurtit, një presidente që si lejohet më shumë se një orë kohë për të marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës së saj? A mund të japë një njeri me personalitet të tillë garanci për rezistencë ndaj një regjimi që do të kapë gjithçka? Apo mos vallë ky alarmi kundër autokratit është thjeshtë një shaka propagandistike?
Po 81 parlamentarët që hodhën fletën “pro” në kuti, a patën ndonjë farë respekti për veten, ndërkohë që as formalisht su lejuan të mendonin për votën e tyre?
Ngado që ta kapësh ajo që ndodhi në minutat e fundit të 6 tetorit ishte një parodi. Një nga ato ngjarje që e qesharakëzojë aq thellë thelbin e një shteti dhe të institucioneve të tij, sa e bëjnë të pa shmangshme pyetjen: A mos do ishte më mirë po të qe bërë me keq? Pra, a mos do kish qenë më serioze të shkonin të gjithë të bindur në qëndrimet e tyre drejt zgjedhjeve të reja? A mos ka më vlerë të paguash një çmim me kosto më të lartë për koherencën dhe vijimsinë, sesa të gëryesh deri në këtë pikë besimin tek të zgjedhurtit politikë dhe të shpërfillësh kaq hapur institucionet?
Një pjesë të këtyre dilemave do të marrin përgjigje nga sjellja që Justina Shiroka Pula do të ketë në zyrën e presidentes. Por ama, mënyra e beftë se si ajo u katapultua nga darka e Prizërenit në sallën e kuvendit nuk të jep shumë shpresë për të qenë optimist./lapsi.al
Eksploro më shumë për këto tema

Më të lexuarat

Më të lexuarat

Buletin
Emaili ynë i mëngjesit përmbledh lajmet kryesore të ditës, duke ju treguar çfarë ndodh dhe pse ka rëndësi. Çdo ditë pune në orën 7.
Komente
Duke ngarkuar komentet…