A po e shfrytëzon Ervin Demo protestën për të larë duart me Skënder Hitën? Mesazhet e mbrëmshme dhe përplasja pas kuint

Në këtë protestë, ku tashmë kemi kaluar nga flamingot te guri dhe druri duket se secili po bën llogaritë e veta. Rama kërkon t’u mbushë mendjen atyre që i kanë mbetur pas se do t’ia hedhin edhe kësaj radhe. Opozita përpiqet të shpëtojë çfarë mund të shpëtohet nga konsumimi dhe delegjitimimi total përpara shqiptarëve.

Admin
Admin

A po e shfrytëzon Ervin Demo protestën për të larë duart me Skënder Hitën? Mesazhet e mbrëmshme dhe përplasja pas kuint
Web
Teksti

Në këtë protestë, ku tashmë kemi kaluar nga flamingot te guri dhe druri duket se secili po bën llogaritë e veta. Rama kërkon t’u mbushë mendjen atyre që i kanë mbetur pas se do t’ia hedhin edhe kësaj radhe. Opozita përpiqet të shpëtojë çfarë mund të shpëtohet nga konsumimi dhe delegjitimimi total përpara shqiptarëve.

Ndërsa Ervin Demo, ministri i ri i Brendshëm, duket se ka hesapet e tij.

Për një ministër të sapoardhur dhe me ambicie të madhe politike dhe jo vetëm, kontrolli mbi Policinë e Shtetit është një nga burimet kryesore të pushtetit. Dhe rruga më e shkurtër për ta konsoliduar këtë kontroll kalon nga drejtori i përgjithshëm.

Dy reagimet e Demos gjatë ditës së djeshme i bën ata që njohin backgroundin e përplasjes mes tij dhe vartësve ditët e fundit të pyesin nëse po përdor ai menaxhimin e protestës nga Policia për t’i hapur rrugën largimit të Skënder Hitës dhe emërimit të një besniku në vend të tij?

Hita u emërua më 30 mars, vetëm pak muaj përpara ardhjes së Demos në Ministrinë e Brendshme. Një zëvendësim kaq i shpejtë do të kërkonte një arsye të fortë publike dhe mbështetje nga kreu i qeverisë, të cilën ende nuk e ka.

Si usta i ri në politike por i vjetër në “këto punë”, Demo e ka kuptuar se përplasjet dhe dhuna gjatë protestës mund t’i ofrojnë atij “kokën” e Hitës në pjatë argjendi.

Mosmarrëveshjet mes tyre janë një sekret publik sot në Tiranë, ndërsa Demo e di se jeta politike e ministrave të Rendit nuk është shumë e gjatë në Shqipëri, prandaj edhe duket se po përpiqet të mbarojë punë sa më shpejt.

Në reagimin e parë, pasditen e së martës, Demo dënoi sulmet ndaj policëve, shprehu mbështetje për efektivët e plagosur dhe bëri thirrje për uljen e tensioneve. Policia, sipas tij, do të vepronte me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në reagimin e dytë, në mbrëmje, ministri shtoi një element tjetër: Shqyrtimin e veprimeve të vetë policisë. Çdo veprim duhej të ishte “i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional”. Më tej paralajmëroi: “Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës”. Ai kërkoi gjithashtu ruajtjen e pamjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale.

Ky reagim erdhi në një klimë denoncimesh për dhunën policore dhe kritikash për përfshirjen në përleshje të policëve civilë me kapuç e fytyra të mbuluara. Ndërhyrjet e tyre u vunë publikisht në diskutim edhe për mënyrën se si e përshkallëzuan situatën.

Në këtë kontekst, deklarata e dytë mund të lexohet edhe si një distancim politik nga policia. Demo kështu e shfaq veten si ministri që kërkon ligjshmëri dhe proporcionalitet, ndërsa përgjegjësia për atë që ndodhi në rrugë mbetet (sipas tij) mbi strukturat dhe zinxhirin e tyre komandues.

Në sfond të gjithçkaje duket se qëndrojnë raportimet e mëparshme të Skyweb.al për tensione mes Demos dhe strukturave policore për kontroll territori.

Nëse kjo histori përfundon me largimin e Hitës dhe forcimin e kontrollit të Demos mbi policinë, ministri do të ketë përfituar politikisht nga protesta. Por larja e duarve me drejtorin nuk e zhduk përgjegjësinë e ministrit për institucionin që drejton.

2 min lexim

Komente

Duke ngarkuar komentet…

Buletin

Edicioni i Parë

Emaili ynë i mëngjesit përmbledh lajmet kryesore të ditës, duke ju treguar çfarë ndodh dhe pse ka rëndësi. Çdo ditë pune në orën 7.

Pa spam. Çregjistroheni me një klik, kur të doni.