Agron Tufa sjell në shqip “Kipcin” e Dostojevskit
Shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Agron Tufa, ka njoftuar përfundimin e përkthimit në shqip të romanit “Kipci” (“Dvojnik”) të Fjodor Dostojevskit.

Shkrimtari dhe përkthyesi Agron Tufa ka njoftuar përfundimin e përkthimit në shqip të romanit “Kipci” (“Dvojnik”) të Fjodor Dostojevskit. Tufa e cilëson këtë si një nga veprat më të veçanta dhe më të vështira që ka përkthyer, duke theksuar kohën e gjatë të punës dhe përkushtimin ndaj saktësisë gjuhësore e stilistike.
Në parathënien e përkthimit, Tufa ndalet te veçoritë e “realizmit fantastik” të Dostojevskit dhe te tema e dyzimit të personalitetit, që qëndron në qendër të romanit.
Një zgjedhje e veçantë është edhe titulli “Kipci”, një fjalë e vjetër shqipe, të cilën Tufa e konsideron më të përshtatshme për të përcjellë idenë e një “veteje të dytë” që shndërrohet në një prani të huaj dhe kërcënuese. Sipas tij, zgjedhja e termit nuk është vetëm përkthim i titullit, por edhe një interpretim i thelbit të veprës së Dostojevskit.
"Kipci" është përkthimi më i fundit që mbarova nga romanet e Dostojevskit. Më i veçanti e më i vështiri, padyshim. Përkthimi zgjati tej çdo parashikimi, por më në fund jam absolutisht i kënaqur me cilësinë e saktësinë e gjuhës dhe të stilit. Ka qenë e mbetet frymëzim për shkrimtarët. Më poshtë diçka rreth kësaj vepre dhe përkthimit të saj:

Realizmi fantastik i F. M. Dostojevskit: «Kipci»(parathënie e përkthyesit)Në kulmin e fuqive të tij krijuese, në vitet 1845–1846, Dostojevski shkruan veprën tjetër të rëndësishme – romanin «Kipci» (Dvojnik). Heroi i saj, këshilltari titullar Jakov Petroviç Goljadkini, qëndron në të njëjtin varg heronjsh «të shtypur nga mjedisi» si Djevushkini, apo si Bashmakçini dhe Popriçini i Gogolit. Në rrafshin e zhvillimit të idesë sociale, «Kipci» i afrohet ngushtë «tregimeve petersburgase» të Gogolit dhe parimeve të «shkollës natyrore». Ndërkaq, në trajtimin psikologjik të temës së «njeriut të vogël», Dostojevski largohet shumë nga Gogoli dhe shkrimtarët bashkëkohorë. Ai ndjek në detaje procesin e shkatërrimit të personalitetit te një hero, i cili nuk është në gjendje të pajtojë brenda vetes kërkesat morale kontradiktore të shoqërisë. Shprehje e ndërgjegjes së tij të përçarë bëhet shfaqja e një kipci – Goljadkinit të ri. Kështu lind një nga temat më të rëndësishme që përshkojnë krijimtarinë e Dostojevskit – tema e dyzimit, e botëkuptimit të ndarë dysh, e ekzistencës së dyfishtë të njeriut.
Poeti e studiuesi V. N. Majkov ishte i pari asokohe që vuri re dhe vlerësoi te «Kipci» atë veçori të metodës krijuese të shkrimtarit që më vonë do të quhej «realizëm fantastik», dhe kuptoi saktë lidhjen e koloritit të veprave të tij me thellësinë e depërtimit analitik në botën e brendshme të njeriut, duke theksuar se «shkëlqimi mistik» «është përgjithësisht i natyrshëm në paraqitjet e realitetit të analizuar thellë».

F. M. Dostojevski ishte ndër krijuesit e parë të një drejtimi të tillë si realizmi fantastik, përvoja e të cilit shërbeu në shumë drejtime si shembull për realistët e shekullit XX. Veçoria e realizmit të tij qëndron në faktin se shkrimtari, në veprat e tij, krijon një realitet të ri, «të pavëzhgueshëm», në njëfarë mënyre absurd, që ekziston sipas ligjeve të veta, me qëllim që ta nxjerrë në pah dhe ta paraqesë sa më vërtetësisht realitetin në sfondin e tij. Dostojevski e arrin këtë me anë të detajeve që i shkojnë më shumë për shtat letërsisë fantastike. Këtu hyjnë si shkelja e përmasave dhe formave të natyrshme të objekteve të paraqitura, ashtu edhe konstruktet e pabesueshme fabulare, numri i madh i linjave rrëfyese që ndërthuren, roli i veçantë i imazheve dhe simboleve në vepër, si dhe shkelja e lidhjeve dhe ligjësive reale, grotesku i situatave dhe i karaktereve. Mjeti më i qëndrueshëm që mundëson zbehjen e kufijve mes fantastikes dhe reales janë ëndrrat, thashethemet, halucinacionet dhe çmenduria e heronjve. Për më tepër, një rol të jashtëzakonshëm në realizmin e Dostojevskit luan «ideja» dhe ndikimi i saj mbi fatin e heronjve.
Por «Kipci» dallohet për një konkretësi më të madhe, për një karakter më tokësor dhe madje edhe për një natyralizëm më të theksuar (shenja të shkollës natyrore - natyralizmit).
Një veçori e rëndësishme e realizmit fantastik të Dostojevskit është zhvendosja e kufijve të reales dhe fantastikes, pamundësia herë pas here për të ndarë realitetin nga «ëndrrat, fantazitë, gjendja e gjumit të lehtë, letrat, artikujt, librat, teoritë, pohimet e vërteta, të rreme e të shtrembëruara, Shkrimi i Shenjtë, zërat e të tjerëve që bien në konflikt e disonancë, të gjitha jehonat...».
Shumë të rëndësishme për realizmin fantastik të Dostojevskit janë ëndrrat dhe vizionet e heronjve, që shpesh është e vështirë të ndahen nga realiteti; ato sikur e çelin pak derën drejt një bote tjetër.
Vlen të theksohet roli i simboleve në krijimtarinë e Dostojevskit, të cilat janë një pjesë e pandashme e realizmit të tij. Detajet e jetës së përditshme nuk janë aq të shpeshta te Dostojevski dhe nuk shërbejnë për t’u dhënë besueshmëri realiteteve të përshkruara, por mbartin një ngarkesë të veçantë kuptimore. Bota natyrore dhe ajo e sendeve nuk kanë një ekzistencë të pavarur te Dostojevski; ajo është e njerëzuar deri në fund, e pajisur me shpirt. «Ambienti shfaqet gjithmonë i përthyer përmes ndërgjegjes, si funksion i saj. Dhoma ku jeton njeriu është peizazhi i shpirtit të tij».* * *Në pikëpamje të artit të përkthimit “Kipci” është një nga veprat më të vështira të Dostojevskit. Gjuha paraqet këtu shkallën më të koklavitur të ndërkalimit të beftë të regjistrave stilistikë, nga ironia e sarkazma – në idioma popullore dhe ligjërim të burokratizuar, shpesh dhe në ligjërim të belbët. Mendoj se qysh në simbolikën e titullit, përkthyesi e ka orientuar përkthimin e tij drejt kësaj psikologjie të personazhit midis kompleksit të inferioritetit dhe patologjisë skizofrenike me maninë e përndjekjes dhe komplotit.

Zgjedhja e titullit «Kipci» nuk është thjesht një çështje emërtimi, por lidhet drejtpërdrejt me kuptimin dhe strukturën e veprës së Dostojevskit. «Kipci» është një fjalë e vjetër shqipe, e përdorur gjerësisht në Veri dhe veçanërisht në Kosovë, e cila, për nga ngarkesa e saj kuptimore, i përshtatet në mënyrë të veçantë figurës së krijuar nga Dostojevski. Ajo nuk mbetet në neutralitetin e një termi të huazuar si «Sozi», as në ftohtësinë dhe zbehjen kuptimore që mund të përcjellin në shqip fjalë si «dytëshor» ose «dytës». «Kipci» e përcjell më drejtpërdrejt idenë e një veteje të dytë, të dalë përballë së parës si shëmbëllim i saj i shtrembëruar, i huaj dhe armiqësor.
Në këtë kuptim, kipci nuk është thjesht i dyti, as një kopje e zakonshme e tjetrit. Ai është një prani që i ngjan të parit, por njëkohësisht e kundërshton, e zëvendëson dhe, në fund, synon ta zhvendosë atë nga vendi i vet. Kjo e bën fjalën «kipc» veçanërisht të përshtatshme për të shprehur thelbin e konfliktit të romanit: përplasjen e njeriut me një alter ego që lind nga vetvetja, por që shndërrohet në të kundërtën e saj.
Prandaj, «Kipci» nuk shënon vetëm dyzimin, por edhe kundërvënien e dy vetjeve; nuk nënkupton vetëm ngjashmërinë, por edhe përmbysjen e saj. Goliadkini i ri është njëkohësisht i ngjashëm me Goliadkinin e vjetër dhe i huaj për të; është një pasqyrim që nuk e kthen më fytyrën e origjinalit, por e shtrembëron atë dhe, dalëngadalë, e zëvendëson. Në këtë pikë, fjala «kipc» fiton një forcë metaforike që i shkon për shtat vetë poetikës së Dostojevskit: një tjetër vetvete, e ngjashme në pamje, por e kundërt në veprim dhe me prirje shkatërrimtare.
Edhe tingëllimi i fjalës në shqip ndihmon në këtë drejtim. «Kipci» është fjalë e shkurtër, e fortë dhe konkrete; nuk ka abstraksionin e një termi teorik dhe nuk e largon figurën nga trupi e prania e saj fizike. Ajo ruan diçka të vrazhdë, të afërt dhe kërcënuese, që përputhet me atmosferën groteske të veprës dhe me shndërrimin gradual të «tjetrit» nga një ngjashmëri e çuditshme në një forcë që e përndjek dhe e shkatërron protagonistin.
Në këtë kuptim, «Kipci» synon të jetë jo vetëm përkthim i titullit, por edhe interpretim i tij: një fjalë shqipe që, duke u mbështetur në një pasuri të vjetër gjuhësore, përpiqet të përcjellë njëherazi ngjashmërinë, dyzimin, kundërvënien dhe kërcënimin që përmban figura e dyfishtë e Dostojevskit", shkruan Tufa në profilin e tij në Fejsbuk.

Most viewed in Culture
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
More on Letërsia dhe libri

Most viewed in Culture
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10

Newsletter
First Edition
Our morning email breaks down the key stories of the day, telling you what is happening and why it matters. Every weekday at 7am.






Comments
Loading comments…