
Ndihma shtetërore zgjerohet me bujqësinë dhe peshkimin, kontrolli kalon te Konkurrenca
Qeveria synon të zgjerojë rregullat e ndihmës shtetërore edhe mbi bujqësinë dhe peshkimin dhe t’ia kalojë kontrollin e skemave të mbështetjes Autoritetit të Konkurrencës, sipas një projektligji të nxjerrë për konsultim. Ndryshimet prekin ligjin nr. 9374 të vitit 2005 dhe parashikojnë gjithashtu komp

Qeveria synon të zgjerojë rregullat e ndihmës shtetërore edhe mbi bujqësinë dhe peshkimin dhe t’ia kalojë kontrollin e skemave të mbështetjes Autoritetit të Konkurrencës, sipas një projektligji të nxjerrë për konsultim. Ndryshimet prekin ligjin nr. 9374 të vitit 2005 dhe parashikojnë gjithashtu kompetenca më të qarta për hetimin, monitorimin dhe sanksionimin në fushën e ndihmës shtetërore.
Ligji aktual zbatohet në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, por përjashton shprehimisht “sektorët e bujqësisë e të peshkimit”. Projektligji e heq këtë përjashtim.
“Ky ligj zbatohet për veprimtaritë që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, përfshirë sektorët e bujqësisë dhe peshkimit”, thuhet në draft.
Relacioni e cilëson përfshirjen e bujqësisë, peshkimit dhe akuakulturës si “një element të ri të përafrimit” dhe parashikon marrjen në konsideratë të rregullave të posaçme të acquis të Bashkimit Europian për ndihmën shtetërore në këta sektorë.
Ndryshimi tjetër i madh është institucional. Sipas sistemit aktual, kontrolli ushtrohet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, i cili drejtohet nga ministri që mbulon çështjet e ekonomisë. Katër anëtarët e tjerë emërohen nga Këshilli i Ministrave, ndërsa struktura administrative, Drejtoria e Ndihmës Shtetërore, funksionon brenda ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Projektligji e transferon këtë funksion te Autoriteti i Konkurrencës.

“Autoriteti i Konkurrencës është autoriteti përgjegjës për kontrollin e ndihmës shtetërore në Republikën e Shqipërisë”, përcakton drafti. Komisioni i Konkurrencës do të jetë organi vendimmarrës, ndërsa një strukturë brenda Autoritetit do të kryejë funksionet administrative, teknike, hetimore dhe monitoruese.
Projektligji përcakton se Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni dhe struktura përgjegjëse për ndihmën shtetërore “nuk kërkojnë ose marrin udhëzime” nga Këshilli i Ministrave, ministritë, dhënësit e ndihmës apo subjekte të tjera publike dhe private gjatë shqyrtimit, hetimit dhe vendimmarrjes.
Relacioni thotë se ndryshimi synon “ndarjen institucionale ndërmjet funksionit të kontrollit të ndihmës shtetërore dhe institucioneve publike që mund të veprojnë si dhënëse të ndihmës shtetërore”. Dokumenti i referohet edhe Raportit për Shqipërinë 2025 të Komisionit Europian, i cili kishte evidentuar nevojën për forcimin e pavarësisë operacionale dhe kapaciteteve administrative të strukturave të kontrollit.
Komisioni aktual i Ndihmës Shtetërore do të pushojë së funksionuari pas transferimit. Projektligji parashikon një periudhë gjashtëmujore nga hyrja në fuqi për kalimin e funksioneve, dosjeve, arkivit dhe bazave të të dhënave te Autoriteti i Konkurrencës.
Konkurrenca merr kompetenca për hetime dhe sanksione
Komisioni i Konkurrencës do të autorizojë skemat e ndihmës shtetërore dhe ndihmat individuale, do të vendosë për pajtueshmërinë e tyre dhe do të mund të urdhërojë “pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës së paligjshme ose të papajtueshme”.

Struktura për ndihmën shtetërore pranë Autoritetit do të marrë dhe shqyrtojë njoftimet, do të kryejë hetime, do të monitorojë zbatimin e vendimeve dhe do të krijojë e përditësojë regjistrin e ndihmës shtetërore.
Drafti shton edhe një dispozitë të posaçme për gjobat.
“Për shkeljen e detyrimeve për dhënien e informacionit […] nga ndërmarrjet ose grupimet e ndërmarrjeve, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba”, sipas projektligjit. Gjobat do të vendosen sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e konkurrencës, për aq sa ai është i zbatueshëm.
Në ligjin aktual, kur informacioni i kërkuar nuk paraqitet ose është i paplotë, Komisioni mund të marrë vendim mbi bazën e informacionit që disponon.
Relacioni thotë se projektligji merr në konsideratë Rregulloren e Këshillit të BE-së 2015/1589, veçanërisht për procedurat e kontrollit, kërkesat për informacion dhe sanksionet procedurale. Shkalla e përafrimit me acquis të BE-së përcaktohet në dokument si e pjesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal./Monitor.al

Më të lexuarat: Lajme
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5

Më të lexuarat: Lajme
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10

Buletin
Edicioni i Parë
Emaili ynë i mëngjesit përmbledh lajmet kryesore të ditës, duke ju treguar çfarë ndodh dhe pse ka rëndësi. Çdo ditë pune në orën 7.








Komente
Duke ngarkuar komentet…