Një BE e zgjeruar. Çfarë është e mundshme?

Ditmir Bushati
Ditmir Bushati

Teksti

BE-ja po përgatitet për zgjerim. Këtë e dëshmon dokumenti i paraqitur nga Komisioni Europian për rishikimin e politikave të zgjerimit, i cili do të diskustohet nga udhëheqësit e vendeve anëtarë të BE-së me 15-16 tetor. Tani nuk shtrohet më pyetja nëse BE-ja do të zgjerohet, por se si do të ndodhë ky zgjerim. E nxitur kryesisht nga mjedisi i sigurisë me të cilën përballej kontinenti si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, në vitin 2023 Presidentja e Komisionit Europian Von der Leyen i bëri thirrje BE-së që të përfshihej në një proces përgatitor që do t’i paraprinte zgjerimit. Në të njëjtin vit, shtetet anëtare, përmes Deklaratës së Granadës, përcaktuan përgjegjësi për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit dhe për veten e tyre. Paraqitja e këtij dokumenti nga ana e Komisionit Europian u shty disa herë, për shkak të ndjeshmërive politike në kryeqytetet e vendeve të BE-së. Megjithatë, dokumeti në vetvete përbën një zhvillim pozitiv, pasi zgjerimi dhe reformimi e mënyra e funksionimit të BE-së janë dy anë të të njejtës monedhë. Rishikimi i politikës së zgjerimit bazohet mbi katër shtylla që kanë të bëjnë me: vlerat, politikat, buxhetin dhe qeverisjen e BE-së. Ky dokument vjen pas lëshimit të paprecedentë gjatë këtij viti të shumë dokumenteve nga shtetet anëtare që kërkojnë gjetjen e një balance të drejtë mes zgjerimit dhe mënyrës së funksionimit të BE-së. Ndaj, Komisioni Europian synon të adresojë frikën e disa kryeqyteteve të BE-së për pranimin e vendeve më të varfra, më të dobëta, me konflikte të papërfunduara; nevojën për të shmangur praktikat e së kaluarës të lidhura me rrëshqitjen mbrapa në fushën e sundimit e së drejtës; linjëzimin gjeopolitik në një botë gjithnjë e më të fragmentuar; rezistencën ndaj ndryshimit të balancave dhe humbjen e pozitave përfituese. Zgjerimi mund të zhvendosë ekuilibrin e pushtetit drejt Lindjes. Në mënyrë hipotetike boshti polako-ukrainas do të përfaqësonte rreth 16% të popullsisë së BE-së, një aleancë e rëndësishme për votimet në të ardhmen. Në rast se do të aplikohen rregullat e tanishëm të votimit, Ukraina, në kombinim me Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, mund të krijonte një pol të rëndësishëm votash në BE. Po kështu, pranimi i Ukrainës në BE do të kthente automatikisht një pjesë të mirë të shteteve anëtare nga përfitues në kontribues të fondeve të BE-së. Kalimi nga financimet e para-anëtarësimit të BE-së në atë të brendshëm kërkon që shtetet në zgjerim të jenë në gjendje të administrojnë financimin e BE-së në mënyrë efektive dhe të garantojnë llogaridhënien institucionale. Ato duhet të jenë gjithashtu në gjendje të parandalojnë, zbulojnë, hetojnë dhe ndjekin penalisht mashtrimin, korrupsionin dhe parregullsi të tjera. Përmbushja e standardeve dhe vlerave europiane nga shtetet që synojnë anëtarësimin do të monitorohet para, gjatë dhe pas aderimit, në një mënyrë më strikte krahasuar me zgjerimet e fundit të Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë.

Përqasja e Komisionit Europian është pragmatike, brenda kufijve të asaj çka është e mundshme në kushtet e tanishme. Komisioni përsërit bindjen e tij të kahershme se zgjerimi i BE-së mund të ndodhë dhe njëkohësisht qeverisja e BE-së mund të sigurohet duke iu përshtatur kuadrit të traktateve të BE-së dhe traktateve të aderimit, pa pasur nevojë për ndryshime të traktateve. Duke iu referuar elasticitetit të mekanizmave ekzistues, Komisioni Europian sugjeron më shumë vendimmarrje, veçanërisht në politikën e jashtme, të kalojnë nga unanimiteti drejt shumicës të cilësuar. Të njëjtin propozim parashtron edhe për procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Nëse i referohemi Traktatit të BE-së, vendimmarja unanime nevojitet për aplikimin për anëtarësim. Mirëpo, praktika dhe kuadri negociues i zhvilluar ndër vite, dëshmon se Këshilli vepron me unanimitet edhe për hapat e ndërmjetëm. Komisioni propozon që për këto hapa të kalohet nga unanimiteti drejt shumicës të cilësuar. Ky propozim ka pak gjasa të përqafohet nga shtetet anëtare të BE-së, nëse marrin në konsideratë faktin se një pjesë e mirë e hapave të ndërmjetëm i nështrohen edhe shqyrtimit parlamentar në shumë shtete anëtare. Kur qëndrimet e shteteve anëtare të BE-së janë të lidhura me thelbin e reformave që imponon procesi i anëtarësimit në BE dhe jo me çështje të natyrës dypalëshe, ndërhyrja e tyre, duke korrektuar optimizmin e Komisionit Europian, i shërben cilësisë dhe pakthyeshmërisë së reformave. Si pasojë e qëndrimeve këmbëngulëse të disa shteteve anëtare të BEsë, në rastin e Shqipërisë, miratimi i raportit për masat e ndërmjetme në fushën e sundimit të së drejtës (IBAR), u shoqërua me vendosjen e masave më garantuese për zbatueshmërinë e reformave. Po kështu, për shkak të hapave mbrapa në fushën e sundimit të së drejtës nga ana e Serbisë, disa shtete anëtarë të BE-së nuk miratuan propozimin e Komisionit Europian për hapjen e grupkapitullit 3. Komisioni Europian parashtron edhe skenarët e funksionimit të ardhshëm të Komisionit Europian në një BE të zgjeruar: si tani, ku çdo shtet propozon një komisioner dhe për shkak të numrit të madh zëvendëspresidentët merren me bashkërendimin e sektorëve të ndryshëm; apo me rotacion, duke mbajtur parasysh në përfaqësim peshën dhe gjeografinë e shteteve anëtare. Pesha e votes së shteteve në Këshill dhe përfaqësimi në Parlamentin Europian rregullohen në përputhje me formulën e tanishme institucionale, duke u bërë pjesë integrale e traktateve të pranimit. Përfaqësimi është element kyç në bisedimet e anëtarësimit në BE. Para zgjerimit të vitit 2004, diskutimet u përqendruan kryesisht tek pesha e votës që do të kishte Polonia si vendi më i madh që pritej t’i bashkohej BE-së. Ajo arriti të sigurojë 27 vota. Njësoj me Spanjën, edhe pse kjo e fundit kishte një popullsi më të madhe. Në të vërtetë, ky rregullim pasqyronte një marrëveshje trepalëshe: ruante barazinë simbolike midis Francës dhe Gjermanisë, e cila mbajti të njëjtin numër votash pavarësisht se popullsia e Gjermanisë është më e madhe se ajo e Francës; siguronte ratifikimin spanjoll; dhe e bënte zgjerimin të shitej politikisht në Varshavë. Megjithatë, marrëveshja i dha Spanjës dhe Polonisë fuqi të vërtetë, pasi i vendosi ato pothuajse në të njëjtin nivel me Gjermaninë, Francën dhe Italinë, të cilat kishin nga 29 vota secila. Nga të gjitha vendet kandidate, Mali i Zi konsiderohet si më afër BEsë. Dokumenti rikonfirmon përfshirjen e tij në Kuadrin Buxhetor Shumëvjeçar 20282034, duke sinjalizuar vullnetin politik të BE-së. Gjithashtu, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina, konsiderohen në një fazë të përparuar të procesit të anëtarësimit në BE. Për këto vende Komisioni Europian do të propozojë në fund të muajit udhërrëfyesit, si pjesë e paketës vjetore të zgjerimit, për të lehtësuar dhe afatizuar rrugën e tyre drejt BE-së. Në këtë mënyrë do të thellohet vija ndarëse midis fqinjëve që anojnë nga BE-ja dhe atyre që janë të lumtur me status quo. Praktika e udhërrëfyesve nuk është e re. Udhërrëfyesi për Kroacinë, botuar në fund të vitit 2008, përcaktoi fundin e vitit 2009, si afat për përmbylljen e bisedimeve për anëtarësim. Asokohe Zagrebi kishte përmbyllur vetëm katër kapituj. Kroacia arriti të mbyllte të gjithë kapitujt deri në mesin e vitit 2011 dhe u bë anëtar i BE-së në 2013. Çka tregon se pavarësisht dëshirës së Komisionit Europian për të shtyrë përpara procesin e anëtarësimit në BE, në fund të fundit, janë shtetet anëtare të BE-së ato që vendosin. Mbetet të shihet nëse Mali i Zi, vendi më i përparuar në këtë proces, ka vërtet nevojë për një udhërrëfyes tani, duke qenë se është në një pozitë më të mirë se Kroacia në vitin 2008. Gjithashtu, Shqipëria është qartësisht përpara Moldavisë dhe Ukrainës.

Komisioni ka shtjelluar edhe disa propozime për integrimin gradual të vendeve kandidate në BE në fusha të ndryshme të tregut të brendshem dhe programeve të BE-së, të tilla si: energjia, transporti, ndërlidhja digjitale, siguria, mbrojtja e qëndrueshmëria. Ky proces do të shoqërohet me përfitime të prekshme për qytetarët dhe bizneset. Shembujt nuk mungojnë: Moldavia dhe Ukraina janë përfshirë në programin “Roam like at home” (“të flasësh si në shtëpi”) dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë në proces negociimi për t’u bashkuar me të njëjtën skemë; apo Zona e Vetme e Pagesave në Euro (SEPA), e cila redukton kostot për transfertat bankare, pjesë e së cilës janë Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Sikurse thotë me të drejtë Enrico Letta, “tregu i brendshëm është më shumë sesa një treg. Është qytetari e plotë europiane, jo të ndihesh emigrant në BE-në. Tregu i brendshëm është hapi kryesor në zgjerimin e BE-së”. Përfshirja graduale e vendeve kandidate në tregun e brendshëm të BE-së është i domosdoshëm për arritjen e konvergjencës ekonomike. Propozimi për hyrjen graduale në tregun e brendshëm nuk është krejtësisht i ri. Rruga u shtrua në vitin 2023 me Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nëse anëtarësimi është një perspektivë e gjatë dhe sfiduese, prioritizimi i integrimit gradual në tregun e brendshëm, i ngjashëm me atë që gëzojnë anëtarët e Zonës Ekonomike Europiane (EEA) Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, mund të nxisë rritjen ekonomike dhe të krijojë lidhje më të ngushta politike dhe institucionale.

Edhe për integrimin në tregun e brendshëm Komisioni është treguar i kujdesshëm, duke bërë të qartë se nuk ka rrugë të shkurtër dhe duke e ndërlidhur atë me përmbushjen e kushteve që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës. Plani i Rritjes kushtëzon disbursimet financiare me sundimin e së drejtës. Në një përpjekje për të ringjallur, të paktën pjesërisht, fuqinë normative të BEsë, e cila ka humbur një pjesë të shkëlqimit të saj të dikurshëm, skema e re shkon më tej, duke kushtëzuar pranimin në tregun e brendshëm me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe llogaridhënien si praktikë qeveritare.

Siç u njoftua në strategjinë e zgjerimit të BE-së për vitin 2025, traktatet e ardhshme të pranimit duhet të përmbajnë masa mbrojtëse më të forta kundër rrëshqitjeve prapa nga angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave, veçanërisht në fushën e sundimit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave themelore. Komisioni propozoi një kornizë të përbashkët për këto masa mbrojtjeje për anëtarët e ardhshëm të BE. Masat mbrojtëse të karakterit sektorial do të gjejnë zbatim në fushat e lidhura me ekonominë, tregun e brendshëm, drejtësinë dhe punët e brendshme. Afati dhe fusha e zbatimit të tyre do të përcaktohen në traktetet e pranimit për seclin shtet.

Shkeljet që ndikojnë në funksionimin institucional të BE-së ose detyrimet e anëtarësimit kërkojnë mbrojtje përtej sektoriale. Parashikimi i masave mbrojtëse të karakterit institucional është një praktikë e re në procesin e zgjerimit. Sipas propozimit të Komisionit, një vend anëtar i ri nuk mund të ushtrojë veto për shumicën e çështjeve të politikës së jashtme, apo të pengojë konsensusin në Këshillin Europian, jo vetëm për politikat sektoriale, por edhe për çështjet institucionale ndërsektoriale, duke përfshirë vendimet që lidhen me zgjerimin. Kjo masë parashihet të shtrihet deri në 15 vjet. Në këtë mënyrë shtetet e reja anëtare do ta kenë të pamundur të bllokojnë anëtarësimin në BE për shtetet fqinje kandidate. Një praktikë, e cila është përdorur nga disa vende anëtare përkundër kandidatëve, duke e dobësuar besueshmërinë e procesit të zgjerimit deri më sot. Masat mbrojtëse plotësojnë dhe nuk zëvendësojnë “opsionin bërthamor” të parashikuar në Nenin 7 të Traktit të BE-së. Masat mbrojtëse duhen lexuar si një mekanizëm i përkohshëm për situata të jashtëzakonshme gjatë viteve të para pas anëtarësimit. Është e qartë se rishikimi i politikës së zgjerimit synon ta bëjë BE-në të paprekur nga zgjerimi me shtete më të dobëta e më të varfra. Sundimi i së drejtës dhe linjëzimi gjeopolitik janë parakushte për këtë gjë. Por në një botë të fragmentuar e përçarjesh edhe mes vetë aleatëve euroatlantikë, BE-ja nuk duhet të mendojë vetëm për atë që është e mundshme, por për atë që duhet bërë. Rishikimi i politikës së zgjerimit nuk i përgjigjet pyetjes se çfarë lloj BE-je na duhet për epokën e re në të cilën jetojmë. Për këtë nuk mjafton veç adresimi i frikërave përmes kujdesit politik, por një ambicie strategjike, e cila do ta bënte BE-në të paprekshme nga e ardhmja.

Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”

9 min lexim

Komente

Duke ngarkuar komentet…

Buletin

Edicioni i Parë

Emaili ynë i mëngjesit përmbledh lajmet kryesore të ditës, duke ju treguar çfarë ndodh dhe pse ka rëndësi. Çdo ditë pune në orën 7.

Pa spam. Çregjistroheni me një klik, kur të doni.